Një shkëndijë elektrike e dyshuar nga ndriçimi i jashtëm ka djegur një pjesë të tregut qendror të Lushnjes. Tregtarët kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e mallit, ndërsa deputeti i PD kërkon rikonceptim të këtij tregu për të përmbushur standardet. Nga ana tjetër bashkia premton dëmshpërblim të tregtarëve.
Një pjesë e tregut të ri të fruta-perimeve dhe konfeksioneve në qytetin e Lushnjes u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, duke djegur mbulesën si dhe një pjesë të banaqeve dhe mallrave të tregtarëve që tregtojnë në këtë treg.
Nga ky zjarr janë prekur rreth 50 tregtarë të cilët përkundrejt pagesës prej 3500 lekësh në muaj tregtonin në tregun e rikonstruktuar tre vite me parë nga bashkia e qytetit.
Një pjesë e tregtarëve kërkojnë dëmshpërblim për mallin e dëmtuar.
Shqetësimit të tregtarëve u është përgjigjur kryebashkiakja e Lushnjes, Eriselda Sefa.
Paraprakisht dyshohet se zjarri në tregun e Lushnjës mund të jetë shkaktuar nga ndonjë shkëndijë elektrike e ndriçimit të jashtëm të këtij tregu. (A2 Televizion)