Në kuadër të Javës së Evropës 2026, në Bashkinë Mirditë u zhvillua aktiviteti rajonal për prezantimin e fazës së dytë të programit “BE për Bashkitë” (EU4Municipalities), një nismë me vlerë 11 milionë euro, që synon forcimin e qeverisjes vendore dhe përmirësimin e shërbimeve publike në Shqipëri.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, e cilësoi Javën e Evropës si një moment të rëndësishëm reflektimi mbi rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe partneritetin me Bashkimin Evropian.
Drejtoresha e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Ritva Heikkinen, theksoi se nga totali prej 11 milionë eurosh, 6.5 milionë euro do të shpërndahen në formë grantesh për bashkitë shqiptare.
“Sot kemi nisjen e fazës së re dhe ambicioze të projektit ‘Bashkitë për Evropën’. Ky është një angazhim ndaj bashkive, komuniteteve dhe besimit se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian fillon pikërisht këtu, në fshatrat, qytetet dhe bashkitë tuaja.
Besoj se kjo është ajo që i bën rajonet ku mbështetja e Bashkimit Evropian vërtet të bëjë diferencën. Projektet janë konkrete, kur shkollat rikonstruktohen dhe shërbimet publike kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve.
Në Bruksel dhe Tiranë ne shpesh diskutojmë për reforma, legjislacion dhe strategji, por ndryshimi i vërtetë që qytetarët duan është veprimi konkret në terren dhe realizimi i investimeve.”
Gjatë aktivitetit u theksuan sfidat kryesore të Bashkisë Mirditë, përfshirë emigracionin, zhvillimin ekonomik, infrastrukturën dhe mundësitë për të rinjtë, duke vënë në dukje nevojën për bashkëpunim të ngushtë mes pushtetit vendor, institucioneve qendrore dhe partnerëve ndërkombëtarë.
(A2 Televizion)