Ndërsa Shqipëria tashmë është futur në listën e vendeve të preferuara për turizëm, veçanërisht gjatë sezonit veror, mënyra e administrimit të këtij sektori në tërësi lë ende për të dëshiruar dhe akoma nuk mund të quhet një menaxhim profesional.
Ekspertja e turizmit në një prej qyteteve më të preferuara për turizëm, Durrësi, konstaton se Shqipëria ende nuk ka një model të konsoliduar të turizmit, duke nënvizuar edhe problematikat kryesore.
“Jemi akoma mes eksperimentalit dhe solidit, sepse ka ende shumë gjëra për t’u rregulluar”, thotë për A2 CNN Brunilda Liçaj, eksperte turizmi, Durrës. “Mungojnë që nga mënyra e rregullimit të Airbnb. Një numër i madh shtretërish janë të padeklaruar dhe nuk e dimë si e bëjnë punën e tyre. Kemi edhe pjesën e konkurrencës jo të ndershme”.
Ndërkohë, institucionet kanë paralajmëruar masa dhe rishikime për rregullimin e sektorit, në përpjekje për ta bërë turizmin shqiptar më të qëndrueshëm dhe më të formalizuar në vitet në vijim. (A2 Televizion)