
Rasti i denoncuar disa ditë më parë mbi dyshimet për ngacmime seksuale të kirurgut 72 vjeçar në spitalin rajonal të Korçës ndaj pacientes 21 vjeçare që e kishte operuar nga apandesiti, dyshohet se nuk ka qenë një ngjarje e izoluar.
Avokatja që ka marrë përsipër të përfaqësojë 21 vjeçaren, ka deklaruar se gra dhe vajza të tjera kanë marrë guximin të denoncojnë raste të ngacmimeve seksuale nga i njëjti mjek ndër vite, ku një prej denoncimeve i referohet 33 viteve më parë.
Avokatja u ka bërë apel të gjithë pacienteve që janë ndjerë të fyera nga veprimet e kirurgut 72 vjeçar të denoncojnë rastet, ashtu sikurse ka deklaruar se edhe drejtoria e spitalit rajonal të Korçës ka heshtur përballë këtyre abuzimev, shkruan A2CNN.
Sakaq pritet që gjatë ditës së enjtes Gjykata e Korçës të caktojë masën e sigurisë ndaj kirurgut Nikollaq Nunka, i cili u arrestua nga policia e Korçës, por për shkak të problemeve kardiake që ka shfaqur po mbahet nën ruajtje në spitalin rajonal të Korçës. (A2 Televizion)