Presidenti Bajram Begaj, ka uruar popullin e Kosovës me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.
“Gëzuar Ditën e Çlirimit, Kosovë!”, shkruan Kreu i Shtetit, duke kujtuar ditën historike të hyrjes së trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO në Kosovë, më 12 qershor 1999.
Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj thekson se kjo ndërhyrje ndaloi “masakrat çnjerëzore dhe spastrimin etnik kundër popullsisë civile që po ndodhte në zemër të Evropës”, duke e cilësuar një nga momentet më të rëndësishme të ndërgjegjes ndërkombëtare për t’i dhënë fund një prej faqeve më të errëta të historisë moderne.
Begaj nderoi gjithashtu luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shprehu mirënjohje ndaj aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që kontribuuan në çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Shqipëria do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës, besimplotë në të ardhmen e përbashkët evropiane”, përfundon mesazhin e tij Presidenti Begaj. (A2 Televizion)