Kërkojnë 700 € rritje rroge, Rama kundër gjyqtarëve: Ndërhyrje skandaloze në kompetencat e mia

Nga Fjorela Beleshi
11 Qershor 2025, 17:32 | Aktualitet

Kërkesa e unionit të gjyqtarëve në Kushtetuese për të rritur sërish pagat e magjistratëve shihet si një lajthitje nga ana e kreut të qeverisë shqiptare. Me anë të një reagimi publik në rrjetet sociale, Edi Rama ironizon këtë veprim si një oreks të pajustifikuar të gjyqtarëve.

“Interesante! Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë! Sot kërkon që, si pasojë e rritjes së pagës së administratës, t’u rritet paga edhe gjyqtarëve – dhe jo pak, por plot 700 euro! Mirëpo kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit, mesa duket, ika shijuar Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në majtë vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve! Këtë herë, Unioni kërkon që paga bazë të lidhet vetëm me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit në Kryeministri dhe kërkon sërish ndryshimin e ligjit.”

Rama u kujton magjistratëve që rritjen e pagave të sistemit të drejtësisë nuk e vendos gjyqësori por Qeveria dhe Parlamenti.

“Ne me Reformën në Drejtësi i rritëm pagat e sistemit të drejtësisë menjëherë sa për dhjetë njëzetë vjet, duke e thyer me vetëdije piramidën e pagave të Republikës së Shqipërisë! Pra, sipas Unionit kjo republikë do jetë përjetësisht e vetmja në botë, ku gjykatësit nuk do ta lejojnë ngjitjen e piramidës së thyer të pagave, sepse ndryshe nga gjithë bota në Shqipëri pagat e tyre nuk do rriten me qeveri e parlament, po me gjyq!!!”

Kryeministri kishte edhe një thirrje për Gjykatën Kushtetuese, të cilës ia nënvizoi heshtja e ekzekutivit në rastin e parë, nuk ka gjasa të përsëritet kur të gjykohet kërkesa e dytë.

“Unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit me heshtje të një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet. Sepse heshtja ndaj çfarëdo abuzimi, me mbështetjen tonë për drejtësinë, nuk është më një opsion për ne. Për më tepër, në këtë rast ky do të ishte një abuzim madhor, shumëdimensional, që do të cenonte shumëkënd e shumëçka, duke nisur nga vetë Kushtetuta dhe serioziteti i Republikës së Shqipërisë.”

Kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve ende nuk ka një datë kur të bëhet pjesë e kalendarit të punës Gjykatës Kushtetuese, që do të duhet ta marrë atë në shqyrtim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos