Shkrimtari Agron Tufa thotë se punimet që janë bërë te burgu i Spaçit, sipas raportimeve për shkak se aty do të xhirohet një film, janë shembulli i radhës i përpjekjeve për të fshirë të kaluarën e errët.
“Është një alarm sepse pushtetet politike në Shqipëri, partitë politike, i kanë lënë me shpërfillje të plotë të shkatërrohen asetet e dhimbshme, topografinë e terrorit të Partisë Komuniste. Kam bërë edhe një film dokumentar që nuk ma pranoi asnjë televizion ta transmetoj, përveç se jashtë, ku dokumentoj një pjesë të kamp-burgjeve, kampeve të internimit, se në çfarë gjendje janë. Ajo që kam vënë re gjithkund nëpër Shqipëri, mbi këto vende të vuajtjes janë mbivendosur projekte industriale apo projekte ndërtimore e bujqësore, duke e zhdukur”, tha Tufa në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
“Kemi kampe me tela me gjemba, të tipit Auschwitz, si ai i Krujës apo Kamzës, që nuk ekzistojnë fare në faqe të dheut. I tillë u bë edhe Tepelena, me pretekstin për të ndryshuar, me plot propaganda dhe nisma, duke e denatyruar. Të njëjtën gjë shoh edhe në Spaç. Për hir të xhirimit të një filmi, tendenca qe për ta ndryshuar, për të zbutur sipas kërkesave të filmit”.
Ai thotë se këto janë përpjekje për të zbehur atë që diktatura bënte ndaj kundërshtarëve të saj në ato vite të errëta. “Po ta vësh re hollë, në esencë, kemi përpjekjen për të amnistuar, zbutur, fashitur, dhimbjen dhe masakrën e terrorit, përmes një zbutjeje estetike. Po ta shohësh, është vënë në pah gjithë fuqia shtypëse e ministrive, diktaturës, me format e saj. Me glorifikimin e ish-profetëve të Komitetit Qendror dhe ministrave të Enver Hoxhës, përpiqen të ringrenë në mënyrë të nënkuptuar një epos, që njerëzve paradoksalisht u zgjon një dimension okult”, tha Tufa.
Burgu i Spaçit ishte një kamp famëkeq pune i detyruar në Shqipëri gjatë regjimit komunist, i hapur në vitin 1968. Ai ndodhej në një zonë të izoluar malore në veri të vendit dhe shërbente si vend dënimi për të burgosurit politikë. Të dënuarit punonin në kushte çnjerëzore në minierën e bakrit dhe pësuan tortura fizike e psikologjike. Spaçi është i njohur edhe për revoltën e vitit 1973, një nga aktet më të guximshme të rezistencës kundër diktaturës komuniste. Sot, ai njihet si simbol i vuajtjes dhe rezistencës antikomuniste në Shqipëri. (A2 Televizion)