Murtaja e bagëtive të imta, zbulohet lëvizja e AKU-së dhe Ministrisë së Bujqësisë

Nga A2 CNN
15 Qershor 2025, 22:54 | Aktualitet

Murtaja e bagëtive të imta, zbulohet lëvizja e AKU-së dhe

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informoi sot se ka marrë të gjitha masat për monitorimin e shtuar dhe rritjen e kontrollit përgjatë gjithë kufirit të gjelbër të territorit shqiptar për ndalimin e importit të bagëtive të imta nga të gjitha vendet për të cilat ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka urdhëruar ndalim të hyrjes së tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në një njoftim për shtyp, AKU tha se “po inspekton dhe në të gjitha pikat e inspektimit kufitar (PIK) si dhe është në gatishmëri të plotë bashkëpunimi ndërinstitucional me Agjencinë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Policinë Kufitare”.

Po ashtu, AKU bën të ditur se në bazë të urdhrit të ministres së MBZHR ndalohet lëvizja e përkohshme si edhe tregtimi i bagëtive të imta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Sipas AKU-së ky hap është ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes së murtajës që ka kapur ferma të caktuara ruminantësh të vegjël në territorin shqiptar.

Në bazë të urdhrit të Ministrit të MBZHR, lëvizja e bagëtive të imta lejohet vetëm nëse destinacioni i lëvizjes është për në thertore, shoqëruar me certifikatën shëndetësore zyrtare veterinare të lëshuar nga veterineri zyrtar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos