Për banorët e fshatit Varibop, në njësinë administrative të Cakranit në Fier, stina e verës mund të cilësohet edhe si stina e vuajtjeve për ta, shkruan A2 CNN. Kjo për shkak të mungesës së furnizimit me ujë të pijshëm. Prej 35 vitesh ata përballen me të njëjtin problem çdo verë, edhe pse shumë herë u është premtuar zgjidhja e këtij problemi jetik.
Me këtë situatë po përballen edhe banorë të Varibopit që janë kthyer nga emigrimi, apo të huaj që kanë vizituar fshatin dhe që nuk e kuptojnë se si mund të jetohet — e aq më pak të zhvillohet një zonë — me problematika të tilla.
Sakaq, nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Fierit shprehen jashtë kamerave se banorët e Varibopit furnizohen me sasinë e nevojshme të ujit, por volumi i shtuar i konsumit gjatë muajve të verës e vështirëson furnizimin e rregullt në banesat e tyre. Për këtë arsye, Ujësjellësi po harton një plan masash kundër shpërdorimit të ujit të pijshëm, duke inspektuar të gjitha zonat me ndihmën e Task-Forcës. (A2 Televizion)