Bilanci i zjarreve: 8 vatra në disa qarqe, 6 vijojnë aktive

Nga A2 CNN
9 Gusht 2026, 21:14 | Aktualitet

Bilanci i zjarreve: 8 vatra në disa qarqe, 6 vijojnë aktive

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ditës së sotme janë raportuar 8 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Fier, Durrës dhe Lezhë. Gjashtë prej vatrave vijojnë aktive, ndërsa dy janë nën kontroll dhe monitorim.

Në terren janë angazhuar 227 forca, ndërsa për situatën në lagjen Boje të Krujës është kërkuar edhe angazhimi i 50 forcave ushtarake, për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor. Në operacione janë përfshirë gjithashtu mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, një avion Air Tractor dhe një mjet ajror i Forcave të Armatosura.

Në qarkun Tiranë, në Dajt, pranë fabrikës së ujit Selita, janë rishfaqur disa vatra zjarri, ku vijon ndërhyrja dhe monitorimi. Në Cikallesh të Kavajës, zjarri është në rënie dhe po shkon drejt shuarjes së plotë, ndërsa në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të vatrave të vogla. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Fier, në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht të Mallakastrës, vijon puna për izolimin e vatrave, ndërsa zjarri është nën kontroll. Edhe në zonën Koilaç–Greshicë zjarri është izoluar dhe ndodhet nën kontroll, pa paraqitur rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Durrës, në Abaze të Krujës, situata është stabilizuar dhe kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla me prush dhe tym. Ndërkohë, në lagjen Boje të Krujës është kërkuar angazhimi i 50 forcave ushtarake për shkak të terrenit të vështirë. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Në qarkun Lezhë, në Vilëz të Kurbinit, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe pyjore. Në terren janë angazhuar rreth 50 forca nga strukturat vendore, MZSH-ja, Policia dhe vullnetarët. Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka ndalur avancimin e zjarrit, duke shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos