
Shoqëria Gener 2 ka reaguar menjëherë pas disa lajmeve në media lidhur me një vendimmarrje të Gjykatës së Posaçme mbi projektin “Blue Borgo”.
Duke mirëpritur këtë zhvillim, kompania ka theksuar se që në krye të herës ka kërkuar që çështja të sqarohet përmes institucioneve, mbi bazën e dokumenteve, provave dhe procedurave ligjore.
Në sqarimin e bërë publik, kompania nënvizon sërish gadishmërinë e saj për të qenë e hapur ndaj çdo verifikimi nga institucionet e drejtësisë, media, shoqëria civile apo kujtdo që ka pikëpyetje mbi projektin duke vendosur në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe lejet e miratuara nga autoritetet kompetente.
Reagimi i plotë:
Jemi njohur me disa raportime mediatike lidhur me një vendimmarrje të Gjykatës së Posaçme për projektit tonë Blue Borgo.
Veprimet procedurale të institucioneve të drejtësisë janë pjesë normale e funksionimit të shtetit ligjor. Ato nuk provojnë kërkesat e disa pretenduesve dhe, aq më pak, përcaktojnë përgjegjësi.
Përpjekjet për ta paraqitur një vendimmarrje procedurale si provë të akuzave të bëra publikisht janë të pasakta dhe të papërgjegjshme. Instrumentalizimi i proceseve të drejtësisë për qëllime politike apo mediatike, veçanërisht ndërkohë që institucionet janë duke ushtruar funksionet e tyre, rrezikon të shndërrohet në presion publik mbi vetë procesin që pretendohet se kërkohet të mbrohet.
Është veçanërisht shqetësuese kur akuza të pakonfirmuara përsëriten nga aktorë politikë dhe më pas riciklohen në hapësirën mediatike sikur të përbënin konstatime institucionale. Drejtësia zhvillohet mbi prova, dokumente dhe procedura ligjore, jo mbi tituj mediatikë apo deklarata politike.
Nga ana jonë, kemi qenë dhe mbetemi plotësisht të hapur ndaj çdo verifikimi institucional. Projekti disponon dokumentacionin dhe lejet e miratuara nga institucionet kompetente, përfshirë Lejen e Ndërtimit nr. 360/1, datë 15.01.2026, të miratuar mbi bazën e Vendimit nr. 39 të KKT-së, më datë 17.12.2024.
Kemi besim se faktet, dokumentacioni dhe procedurat institucionale do të flasin vetë. Do të respektojmë çdo veprim të institucioneve të drejtësisë dhe, njëkohësisht, do të mbrojmë me vendosmëri reputacionin, investimin dhe të drejtat tona nga çdo përpjekje për t’i paragjykuar ato jashtë institucioneve. (A2 Televizion)