Zjarret në Apoloni dhe Gjirin e Lalëzit, ministri Nufi: Janë angazhuar 100 efektivë të FA dhe helikopter

Nga A2 CNN
23 Shtator 2026, 12:54 | Aktualitet

Zjarret në Apoloni dhe Gjirin e Lalëzit, ministri Nufi: Janë

Rreth 100 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve në dy vatra të evidentuara mbrëmjen e djeshme, në Pojan - Parku Arkeologjik i Apolonisë, Fier dhe në Gjirin e Lalëzit, Durrës. Kjo është bërë e ditur në rrjetet sociale nga ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, sipas të cilit në Gjirin e Lalëzit pranë zonës së Shën Pjetrit, krahas 68 efektivëve të FA-së, janë angazhuar edhe 15 automjete zjarrfikëse nga bashkitë Durrës, Shijak, Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Elbasan.

“Pas angazhimit të efektivëve gjatë gjithë natës në këtë zonë, për ndërhyrjen në terrenin e vështirë kodrinor është angazhuar edhe një helikopter, që po vijon punën nga ajri. Ekipet po punojnë intensivisht për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e banorëve, banesave dhe pronave të zonës”, shkruan ministri.

Ndërkohë në Pojan - Parku Arkeologjik i Apolonisë, efektivët e Forcave të Armatosura vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës, e cila tashmë është nën kontroll. Dje, për shuarjen e flakëve u angazhua edhe helikopteri i Forcës Ajrore. Fatmirësisht nga flakët nuk është dëmtuar asnjë monument.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos