Bujqësi pa të ardhura, patatja e importit mban të groposur atë të Shishtavecit

Nga Ervin Mehmeti dhe Gazmend Janku
18 Mars 2026, 14:51 | Aktualitet

Novoseji dhe Shishtaveci, në qarkun e Kukësit, përveç bukurive natyrore, njihen edhe për kultivimin e patates, një kulturë bujqësore mjaft cilësore, e cila në këtë zonë trajtohet me plehra organikë në këtë zonë. Por, si në çdo fushë të bujqësisë, edhe këtu problematikat e tregut kanë bërë që prodhimi i kësaj zone të mbetet i groposur, ndërsa tregu, sipas fermerëve, furnizohet me patate të importuara.

“Çdo vit mbetet stok. Edhe këtë grupin e kemi bërë gati për ta futur. Nuk ka treg, nuk ka ku të shitet. Shkojnë i marrin jashtë shtetit, ndërsa patatet tona të vendit rrinë këtu”, tregon një fermer. “Nuk ka ecur mirë. Nuk ka pasur kërkesë në treg. Nuk dihet pse, por zakonisht kanë sjellë nga jashtë”, thotë një tjetër.

Edhe kryeplaku i fshatit e pohon problematikën e fermerëve të zonës së tij. “Është shumë e vështirë të shitet patatja. Këtu, zotëri, për ta shitur pataten duhet t’i lutesh tregtarëve. Edhe me çmimin që ka rënë, tani po shitet 400 lekë. Është gjynah”, thotë Mahmut Noka për A2 CNN.

Në një zonë ku bujqësia ka qenë për dekada burimi kryesor i të ardhurave, vështirësitë në tregtimin e patates po ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomitë familjare, duke shtuar pasigurinë për të ardhmen dhe duke rritur rrezikun e braktisjes së mëtejshme të këtyre zonave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos