“Lufta do të zgjasë me muaj”, eksperti flet për konfliktin në Lindjen e Mesme, ja skenari i mundshëm

Nga A2 CNN
18 Mars 2026, 08:39 | Aktualitet
 

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Sokol Kondi, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme gjatë një interviste në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, duke paralajmëruar se përplasja nuk do të jetë afatshkurtër.

Sipas tij, pritshmëritë për një rrëzim të shpejtë të Iranit janë të gabuara dhe të nxitura nga rryma të caktuara politike në Shtetet e Bashkuara.

Unë mendoj që fajkonjtë e z. Trump, ata këshilltarët më të zellshëm pro luftës dhe kongresmenët republikanë vazhdojnë t’i fryjnë në vesh z. Trump, që Irani është çështje ditësh, që është drejt rënies,” u shpreh Kondi.

Ai theksoi se, ndryshe nga Izraeli, i cili sipas tij është përgatitur për këtë konflikt prej muajsh apo në rastin më të mirë prej vitesh, Irani ka dekada që përgatitet për një përballje të tillë.

Kur gjeneralët iranianë thonë që janë të përgatitur për 6 muaj luftë totale, në shkallë masive, të jeni të sigurt që janë të përgatitur për më gjatë,” tha ai, duke shtuar se kjo është pjesë e strategjisë për të mos zbuluar plotësisht kapacitetet reale përballë kundërshtarit.

Kondi nënvizoi se rrëzimi i regjimit iranian përmes mjeteve konvencionale është pothuajse i pamundur.

Iranin mund ta bëjë të bjerë vetëm një bombë bërthamore, si ajo që rrëzoi Japoninë perandorake, por ky është një skenar që askush nuk dëshiron ta mendojë për shkak të pasojave zinxhir që mund të sjellë,” u shpreh ai.

Sipas ekspertit, qëllimi real i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit nuk është rrëzimi i menjëhershëm i regjimit, por dobësimi i Iranit në mënyrë që t’i vështirësohet riarmatosja dhe fuqizimi i mëtejshëm.

Në përfundim, Kondi paralajmëroi se konflikti do të jetë i zgjatur.

Kjo luftë nuk zgjat me ditë apo javë. Kjo luftë, në rastin më të mirë, do të zgjasë me muaj,” përfundoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos