Zgjoheni në 3:00 të natës? Mjekja neurologe zbulon problemet shëndetësore që mund të keni

Nga A2 CNN
18 Mars 2026, 09:07 | Aktualitet

Mjekja neurologe Entela Basha ka folur në emisionin "Dita Jonë" në “A2CNN” për fenomenin e zgjimeve të hershme gjatë natës, duke theksuar se ato mund të lidhen me një sërë problemesh shëndetësore dhe faktorësh të ndryshëm.

Sipas saj, zgjimet në orët e para të mëngjesit, veçanërisht mes orës 02:00 dhe 04:00, nuk janë rastësore, por shpesh lidhen me ndryshime në organizëm dhe çrregullime neurohormonale.

Zgjimet shumë të hershme janë të lidhura me shumë sëmundje dhe faktorë. Një pjesë e shkaktarëve janë sëmundje të tjera, si ato kardiake, të aparatit urinar apo të sistemit tretës,” u shpreh Basha.

Ajo shpjegoi se gjatë natës ndodhin ndryshime në nivelet e hormoneve, përfshirë kortizolin dhe hormonet e stresit, të cilat mund të ndikojnë në ndërprerjen e gjumit. Kjo bën që shumë pacientë të zgjohen për arsye të ndryshme, si nevoja për të shkuar në tualet apo për të pirë ujë.

Sipas mjekes, persona që vuajnë nga probleme kardiake apo nga sëmundje të prostatës janë ndër më të prekurit nga ky fenomen.

Megjithatë, ajo theksoi se nuk ekziston një shkak i vetëm për pagjumësinë, pasi bëhet fjalë për një problem kompleks që kërkon vlerësim të kujdesshëm.

E para gjë që duhet të bëjmë është të gjejmë shkakun e pagjumësisë. Nuk mjekohet pasoja, por shkaku,” nënvizoi neurologia.

Në lidhje me trajtimin, Basha u shpreh se përdorimi i medikamenteve nuk duhet të jetë zgjidhja e parë, edhe pse nuk është kundër tyre.

Mund të jetë mbingarkesë e sistemit nervor apo probleme të tjera. Nuk jam kundër ilaçeve të pagjumësisë, por përpara se të shkohet te terapia, duhet të kalohen disa etapa,” përfundoi ajo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos