Ekstradimet dhe raketat frikësojnë kriminelët dhe eskortat në Dubai; për “sypatemburit” rritet çmimi, destinacioni i ri Rusia

Nga A2 CNN
18 Mars 2026, 10:17 | Aktualitet

Marrëdhëniet shtetërore mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në lidhje me bashkëpunimin kundër krimit të organizuar kanë sjellë një numër më të lartë kërkesash dhe pranimesh për ekstradim të figurave të rëndësishme të botës së krimit.

E ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, gazetarja Aida Topalli foli për nivelin më të lartë të ekstradimeve nga Dubai të eksponentëve të krimit. Ajo e konsideroi Dubain si një “vend të pasigurt” për këto figura, duke e lidhur situatën edhe me gjendjen kaotike atje.

“Pjesëtarët e krimit nuk e studiuan gjeopolitikën në rajon dhe nuk e pritën që, përveç përpjekjeve për t’i ekstraduar ata në vendet e origjinës për të vuajtur dënimin, do t’i shtohej edhe një luftë e vërtetë, ku janë të pasigurt edhe vetë qytetarët e Dubait, jo më personat e tjerë”.

E pyetur në lidhje me ndryshimin e aksit të “emigrimit” kriminal, gazetarja përmendi vende të ftohta si Rusia, ku është vënë re një rritje e pranisë së kriminelëve shqiptarë, për shkak të marrëdhënieve jo të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Rusisë.

“Kur themi vende të ftohta, unë nënkuptoj vende si Rusia. Është një nga vendet target të grupeve kriminale. Edhe vende të tjera me marrëdhënie politike të ngjashme me Shqipërinë janë objektiva kryesore të këtyre grupeve”.

Ndërsa, në lidhje me “emigrimin” e eksponentëve të krimit, gazetarja tha se edhe eskortat i përbashkohen këtyre lëvizjeve.

“Këto vajza zhvendosen njëkohësisht në të njëjtat vende ku shkojnë anëtarët e botës së krimit dhe njëkohësisht, kjo e bën më të vështirë edhe lëvizjen e tyre, jo vetëm drejt Dubait, por duke e shtrenjtuar edhe qëndrimin atje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos