Ujësjellës-Kanalizime në Vlorë ka nisur lidhjen e rrjetit të ri të ujësjellësit me atë ekzistues në zona të ndryshme të qytetit, që shikohet edhe si faza përfundimtare e rikonstruksionit që prek mbi 70% të qytetit dhe synon të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm të një prej qendrave kryesore të turizmit veror në vendin tonë, shkruan A2 CNN.
Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve të Vlorës ka dhënë afatet e përfundimit të këtij projekti, i cili lidhet jo vetëm me furnizimin me ujë, por edhe me riparimin e rrugëve që janë hapur për shtrimin e tubacioneve të reja.
“Aktualisht jemi duke bërë ndërhyrjet për lidhjen e rrjetit të ri me rrjetin ekzistues”, thotë Ermal Murati. “Kjo është pjesë e projektit të parashikuar. Vlora po merr një zhvillim të madh; dihet që bregdeti dhe turizmi. Është një nga sfidat tona kryesore për të menaxhuar sa më mirë furnizimin me ujë për qytetarët, hotelerinë dhe turizmin. Presim të kemi zhvillime të mira, duke ndjekur hap pas hapi të gjitha ndërhyrjet që do të bëjmë në kuadër të projektit të Vlorës”.
“Projekti përfundon në vitin 2026. Do të ecim hap pas hapi, pasi nuk është një projekt i thjeshtë. Bëhet fjalë për një ndërhyrje që prek 70% të qytetit të Vlorës dhe të popullsisë. Njëkohësisht, projektet kanë një veçori, pasi janë të integruara me projekte të tjera paralele. Ky projekt nuk parashikon vetëm sistemin e ri shpërndarës. Një nga objektivat tona kryesore është edhe mbyllja e problematikave të rrugëve të çara dhe asfaltimi i tyre”, shtoi ai.
Në këtë kontekst, kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve të Vlorës ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve gjatë kësaj periudhe, pasi do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë deri në rivendosjen e plotë të lidhjeve dhe kryerjen e testimeve të nevojshme. (A2 Televizion)