Pas shpërndarjes së testeve orientuese tashmë maturantët kanë edhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore. Qershori është muaji i etheve për të gjithë maturantët dhe prindërit e tyre.
Testi i parë, ashtu si dhe vitet e kaluara nisme gjuhën e huaj dhe për maturën 2024-2025 do të mbahet më 3 qershor. Pas përfundimit të testimit, një javë kohë u lihet maturantëve për të bërë përsëritjet e fundit për provimin e radhës.
Pas anglishtes, më 10 qershor do të zhvillohet provimi I Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Ky konsiderohet dhe testi më i sikletshëm nga të gjithë gjimnazistët, jo vetëm për vështirësinë e shqipes dhe rregullat strikte të drejtshkrimit, por edhe për subjektivitetin e letërsisë dhe të korrigjimit nga ana e mësuesve.
Ndërsa më 17 qershor do të zhvillohet provimi i Matematikës. Pavarësisht pyetjeve të shkallëzuara sipas tri niveleve të vështirësisë, ky është një nga testimet që bën diferencën mes maturantëve, që do të jenë konkurrentë mes tyre për degët më të kërkuara në universitete.
Pasi të jenë njohur më notat e provimeve të para, maturantët e mbyllin Maturën Shtetërore me testin e lëndës më zgjedhje. Këtë vit janë shtuar lëndët që të rinjtë mund të zgjedhin për testim, çka u jep më shumë mundësi për orientimin në universitete.
Më 24 qershor maturantët do të zhvillojnë provimin me zgjidhje që mund të jetë Kimia, Fizika, Biologjia, Gjeografia, Filozofia e deri Historia e artit dhe baletit.
Sipas Ministrisë së Arsimit të gjitha testimet do të zhvillohen për dy orë e 30 minuta. Maturantët i nisin provimet në orën 10 dhe në 12.30 duhet të kenë dorëzuar testin.
Matura Shtetërore është procesi më i rëndësishëm për nxënësit dhe prindërit e tyre e jo vetëm për mbylljen e arsimit parauniversitar, por edhe për hyrjen në universitete, ku në varësi të rezultateve përcaktohen profesionet e tyre në të ardhmen. (A2 Televizion)