Defekti në Albcontrol, TIA: Fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan për pak minuta

Nga A2 CNN
28 Gusht 2026, 21:50 | Aktualitet

Defekti në Albcontrol, TIA: Fluturimet në hapësirën ajrore

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka dhënë detaje lidhur me problemin e ndodhur pasditen e së premtes. “Për shkak të një problemi teknik të përkohshëm në sistemin e monitorimit të trafikut ajror nga Albcontrol, fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan për pak minuta si masë sigurie. Problematika u adresua menjëherë dhe aktualisht po bëhen të gjitha përpjekjet për rikthimin sa më të shpejtë të operacioneve në normalitet”, tha TIA përmes një njoftimi, përcjell A2 CNN.

“Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet përkatëse dhe kompanitë ajrore, ndërsa po menaxhon pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve. TIA ka angazhuar numrin maksimal të stafit në dispozicion për të mbështetur operacionet në terminal dhe për të garantuar menaxhimin sa më të shpejtë të situatës. Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë dhe po bëjnë maksimumin për të përshpejtuar rikthimin e operacioneve në normalitet”..

Sipas Albcontrol, sistemet e trafikut ajror në Shqipëri dolën jashtë funksionit për rreth gjysmë ore. “Sot në orën 17:30 për shkak të një problemi teknik janë fikur sistemet e trafikut ajror. Ekspertët e Albcontrol kane marrë të gjitha masat për të shmangur çdo rrezik për avionët në hapësirën ajrore dhe janë angazhuar për rikthimin e sistemeve në punë”, njoftoi Albcontrol.

“Rreth orës 18:00 u arrit që 90% e sistemeve të rikthehen në funksionet normale dhe ndërkohë po punohet për të rikuperuar edhe pjesën tjetër të tyre. Falë reagimit në kohë dhe me profesionalizëm u bë e mundur që të shmangej bllokimi i trafikut ajror në hapësirën tonë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos