“Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve NATO, mbrojtësve të qiejve tanë, në dekadën më të rrezikshme të historisë moderne të rajonit dhe të mbarë Europës”, tha ministri i Mbrojtjes.
Mëngjesi i 24 shkurtit të dy viteve më parë, jo vetëm prishi paqen 77-vjeçare në “Kontinentin e Vjetër”, por si kurrë më parë zgjoi frikën te të gjithë se “lufta është një shkrepje këmbëze larg”. Frika për rizgjimin e konflikteve të vjetra u bë edhe më e prekshme pas luftës së re në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Hamasit vitin e lënë pas.
Duke iu përgjigjur edhe thirrjeve të njëpasnjëshme të NATOS, Shqipëria përmbushi për herë të parë që prej vitit 2009 detyrimin për të akorduar 2 për qind të totalit të shpenzimeve për mbrojtje. Ministrisë së Mbrojtjes këtë vit i janë vënë në dispozicion mbi 48 miliardë lekë. Ky buxhet është 2-fish më i lartë se në harkun e viteve 2018-2022 dhe 4-fish më i madh se në periudhën 2015-2017.
Pjesa më e madhe e këtyre fondeve, më shumë se gjysma do të shkojnë për forcat e luftimit ndjekur nga mbështetje sociale për ushtarakët, arsimi ushtarak dhe emergjencat civile.
“Zhvillimet kaotike që po përshpejtohen në nivel rajonal e global i kanë kthyer çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në më kritike se kurrë”, tha Yasar Guler, Ministri Turk i Mbrojtjes.
Për shkak të heqjes së shërbimit të detyruar, por edhe zhvillimeve demografike numri i ushtarëve në Forcën e Armatosur ka arritur në rreth 7 mijë nga mbi 67 mijë që ishin deri në vitin 2000. Sipas të dhënave nga Banka Botërore Shqipëria është aktualisht vendi me numrin më të ulët të ushtarëve në Ballkanin Perëndimor. Serbia udhëheq me 32 mijë të tillë, ndjekur nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Numri i ulët i ushtarëve, bashkë me harresën në vite për investime e rendisin Shqipërinë në vendin e 90 nga 145 shtete në botë për “ushtrinë më të fortë”. Në krye të listës qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ndjekur nga Rusia dhe Kina. (A2 Televizion)