Pronat në Himarë/ Gati të nisë regjistrimi fillestar për 6 zona kadastrale, ASHK nënshkruan marrëveshjen me bashkinë

Nga A2 CNN
12 Mars 2026, 16:51 | Aktualitet

Pronat në Himarë/ Gati të nisë regjistrimi fillestar

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) dhe Bashkia Himarë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për nisjen e regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme në 6 zona kadastrale të bashkisë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, dhe drejtoresha e Përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe agjencisë qendrore për përshpejtimin e procesit.

“Ne kemi një objektiv të qartë: përmbylljen e regjistrimit fillestar në të gjithë Shqipërinë brenda vitit 2027,” deklaroi Goxhobelli, duke shtuar se ky bashkëpunim do të mundësojë qytetarëve të pajisen me dokumentacion të rregullt pronësie.

Bashkia Himarë ka gjithsej 24 zona kadastrale, nga të cilat 15 janë tashmë të regjistruara, ndërsa 3 zona janë në fazën përfundimtare të procesit. Me nisjen e regjistrimit në 6 zonat e tjera, Bashkia do të afrohet drejt përmbylljes së plotë të regjistrimit kadastral.

Autoritetet nënvizuan se bashkëpunimi institucional është kyç për përmirësimin e administrimit të pronës dhe për sigurimin e shërbimeve më efikase për qytetarët.

Ky proces pritet të sjellë më shumë transparencë dhe siguri për pronarët, duke bërë të mundur një planifikim më të mirë urban dhe zhvillim ekonomik në zonën e Himarës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos