Gazetari Lutfi Dervishi e konsideroi protestën para Kryeministrisë që nisi kundër projektit në Zvërnec si një nga zhvillimet më pozitive për jetën demokratike në vend pas marrjes së IBAR-it nga Shqipëria.
Duke komentuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN tubimin që prej disa ditësh po mbledh qytetarë dhe aktivistë me kauza të ndryshme, Dervishi vlerësoi se protesta duket se ka kaluar kufijtë e kundërshtimit të projektit në Zvërnec dhe është shndërruar në një manifestim më të gjerë qytetar.
Megjithëse ai theksoi se mungesa e një lidershipi të qartë dhe e kërkesave të unifikuara mbetet sfida kryesore e kësaj lëvizjeje.
“Tashmë protesta nuk po duket se ka shumë lidhje me Zvërnecin dhe vetëm me të. Është një nga gjërat më të bukura që ndodh pas marrjes së IBAR-it si lajm për vendin. Tregon që një vend demokratik ku protesta s’ka mbetur monopol vetëm i partive politike apo e grupeve të ngushta të interesit, por është një protestë, o pa ngjyrë, ose shumë ngjyra, ku mbivendosen shumë parrulla, me aq sa munda të ndjek përmes ekranit të vogël. Masa e protestuesve sa vjen edhe është më e pjekur, ka konsistencë, nëse e krahasojmë me thirrjet e opozitës, që ishte një protestë sot dhe një pas një muaji. Këtu janë 3 ditë rresht dhe me sa duket mund të vazhdojnë. Masa është konsistente, problem është që është një masë pa kokë në kuptimin e lidershipit dhe kërkesave”, tha Dervishi. (A2 Televizion)