
Në një tjetër reagim për protestën e djeshme në kryeqytet, kryeministri Edi Rama i ka krahasuar protestuesit me nazistët e Agimit të Artë në Greqi. Duke publikuar një video nga sharjet që protestuesit i kanë bërë poshtë selisë së PS-së në Tiranë, Rama i cilëson “mysafirë të paftuar të natës” dhe thotë se parulla si “Shqipëria e shqiptarëve” janë nacionaliste të përdorura nga lëvizje ekstremiste në Europë.
“Shqipëria e shqiptarëve” dhe këto çeta kinse shqiponjash që ulërasin kësisoj rrugëve, të kujtojnë “Gjermaninë e gjermanëve” me ata ulëritësat e verbër si këta mysafirët e natës tek selia e PS, që e kthyen Gjermaninë në thertoren e hebrenjve dhe e katandisën në delen e zezë të planetit”, shkruan Rama, përcjell A2 CNN.
Kreu i qeverisë shton se kjo retorikë i ngjan edhe asaj të ekstremistëve të “Agimit të Artë” në Greqi, të cilët sipas tij nxisnin urrejtje ndaj emigrantëve dhe kundërshtonin investimet e mëdha.
“Po meqë Gjermania naziste është larg dhe zëre se i kam përpara syve urrejtje-nxitësit e këtyre të rinjve pa busull duke u thënë, “ju s’jeni nazistë ju jeni patriotë, prandaj jepini fort gojës së shthurrur se do ta djegim Shqipërinë e tradhtarëve”, po shtoj që kjo “Shqipëria e shqiptarëve” është tëpkë si “Greqia e grekëve”, ajo e atyre çakejve të Agimit të Artë që donin t’i digjnin të gjallë “tradhtarët” e Greqisë bashkë me shqiptarët, të cilët sipas tyre po merrnin punët e paratë e popullit grek. Çuditërisht edhe ata ishin kundër investimeve e resorteve cilësore, me të vetmin ndryshim se këta “shqiptarët tanë të vërtetë” nuk kishin gisht në kuturisjen e atyre, kurse ata kanë gishtin e tyre në kuturisjen e këtyre”, shkruan Rama, raporton A2 CNN.
Në fund kryeministri përdor shprehjen biblike: “Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë”. (A2 Televizion)