Turistët: Vijmë për historinë, Gjirokastra të mërzit me dance dhe rock gjatë natës

Nga Rigels Malile dhe Gazmend Janku
3 Qershor 2026, 12:04 | Aktualitet

Zhurmat gjatë natës sidomos për shkak të muzikës së pakuptimtë, për vlerat që Gjirokastra ka dhe që tërheq turistët, po ndikon negativisht në sezonin që tashmë ka nisur. Madje turistët po largohen nga hotelet pranë pazarit karakteristik pikërisht për shkak të muzikës që vijon deri në agim.

Kjo është situata e mbrëmjeve verore në zonën më të frekuentuar në Gjirokastër, pazari karakteristik. Tashmë që edhe turistët janë të përditshëm dhe gjithnjë në rritje, Gjirokastra historike po i befason me ndotjen akustike dhe me pamundësinë për të fjetur qoftë edhe pak orë.

“Kur erdhëm kishim prenotuar tek një hotel në një nga rrugicat karakteristike të Gjirokastrës. Por në mbrëmje nuk kishim mundësi të flinim. Shumë zhurmë karrigesh, tavolinash dhe muzikë e lartë deri në orët e mëngjesit. U detyruam të iknim nga ai hotel dhe të shkonim diku tjetër”, thotë për A2 CNN një turist.

“Muzika shumë shqetësuese deri në orën 5 -5:30 të mëngjesit. Ishte e pamundur të qetësoheshe apo të flije. U detyrova të ndërroj hotelin. Vij në Gjirokastër për rrugicat, historinë, njerëzit dhe ushqimin, jo për muzikën”, thotë një tjetër turiste për A2 CNN.

Edhe vetë administratorët e strukturave akomoduese shprehen të shqetësuar mbi këtë problematikë, që po lë të pakënaqur turistët.

Ndërkohë policia shprehet jashtë kamerave se ka kryer kontrolle, por situate në terren mbetet e pandryshuar dhe turistët nuk arrijnë dot as të pushojnë të qetë në hotelet në zonën e pazarit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos