Rrugët e kryeqytetit janë kthyer sërish në pikëtakimin e studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve, të cilët këtë të premte kanë nisur marshimin e protestës, duke u grumbulluar fillimisht në qendër të Tiranës.
Protesta ka hyrë në ditën e saj të katërt, ndërsa ende nuk dihet se cili do të jetë itinerari që do të ndjekin protestuesit.
Mes thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, turma ka dalë sërish në rrugë, duke vijuar kundërshtimin që prej tri ditësh ka mbajtur të tensionuar kryeqytetin dhe ka sjellë grumbullime edhe në qytete të tjera të vendit.
Tri ditët e para të protestës u shoqëruan me përplasje të forta me Policinë e Shtetit dhe episode dhune. Protestuesit hodhën sende të forta në drejtim të efektivëve dhe godinave, ndërsa pati edhe tentativa për t’u vënë zjarrin institucioneve publike.
Në shënjestër të akteve të dhunshme përfunduan gjithashtu biznese private, të cilat pësuan dëme materiale. (A2 Televizion)