Gënjeu në formularin e vetëdeklarimit, Prokuroria çon në gjyq anëtarin e Këshillit Bashkiak të Lushnjës

Nga A2 CNN
12 Mars 2026, 16:11 | Aktualitet

Gënjeu në formularin e vetëdeklarimit, Prokuroria çon

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim anëtarin e Këshilli Bashkiak Lushnjë, Armelin Meta, i akuzuar për falsifikim pasi dyshohet se ka deklaruar të dhëna të rreme në formularin e vetëdeklarimit.

Sipas hetimeve, Meta ka plotësuar në vitin 2023 formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, duke deklaruar se nuk kishte qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese dhe se ndaj tij nuk ishte vendosur ndonjë masë sigurie personale.

Megjithatë, nga verifikimet e kryera nga organi i akuzës ka rezultuar se ai kishte qenë më parë i ndaluar dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, për të cilën kishte qëndruar rreth pesë muaj në paraburgim.

Sipas dosjes hetimore, më 15 shkurt 2006 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë kishte ndaluar Metën nën dyshimin për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni” në rrethana rënduese. 

Njoftimi i Prokurorisë së Fierit:

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Armelin Meta, anëtar i Këshillit Bashkiak, Lushnjë për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, parashikuar nga neni 190 i K.Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.419, të regjistruar mbi bazën e materialit dërguar për kompetencë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 01.04.2025, u provua se, i pandehuri Armelin Meta, me detyrë anëtar i Këshillit Bashkiak Lushnjë, ka kryer veprën penale “Falsifikimi i vulave, stamapve ose i formularëve”, parashikuar në nenin 190/1 të Kodit Penal, pasi ai ka paraqitur të dhëna jo të sakta (të rreme), që nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe nuk i përgjigjen realitetit në Formularin e Vetëdeklarimit “Për zbatimin e ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, depozituar në Komisionin Zgjedhor të Zgjedhjeve më datë 23.03.2023.

Konkretisht, në formularin e lartëpërmendur, plotësuar dhe nënshkruar nga i pandehuri, rezulton se në faqen 4, në rubrikën me numër ˝4” ku pyetet: ˝A keni qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese, për kryerjen e një vepre penale?”, shtetasi Armelin Meta ka shënuar ˝Jo”. Gjithashtu , në rubrikën me numër ˝5” ku pyetet: ˝A është caktuar ndaj jush ndonjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale, në fuqi ose jo? ”, shtetasi Armelin Meta ka shënuar ˝Jo”.

Ndërkohë gjatë hetimit rezulton e provuar e kundërta, pra, që shtetasi Armelin Meta ka qenë ndaluar dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurimit ˝Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ku ai ka qëndruar në periudhë paraburgimi për një kohë prej 5 muajsh. Konkretisht, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë më datë 15.02.2006 ka ndaluar shtetasin Armelin Meta, dyshuar për kryerjen e veprës penale ˝Shfrytëzim prostitucioni”, në rrethana rënduese, parashikuar nga neni 114/a/5 i K.Penal. Ndalim i cili është vleftësuar i ligjshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin nr. 42 Regj., datë 19.02.2006, duke caktuar ndaj shtetasit Armelin Meta masën e sigurimit ˝Arrest në burg” pa afat, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos