Djegia e torfës vijon të ndotë ajrin në fushën e Maliqit. Gjatë muajve të fundit zona torfike në fushën e Maliqit është kthyer në shqetësim për banorët e fshatrave që banojnë përreth saj.
Djegia e torfës si pasojë edhe e zjarreve gjatë verës bën që ndotja e ajrit të jetë e madhe. Më e vështirë situata paraqitet në orët e para të mëngjesit, por dhe të mbrëmjes aq sa askush nuk hap dritaret për shkak të tymit të çliruar nga djegia.
Gazrat që çlirohen nga djegia e kësaj zone në një sipërfaqe të madhe e bën te vështirë frymarrjen për të moshuarit dhe fëmijët, shkruan A2.
Për këtë është kërkuar prej kohësh ndërhyrja e autoriteteve lokale për izolimin e djegies së kësaj zone të kthyer në shqetësim në veçanti për banorët e Sheqerasit, Sovjanit, Vreshtas e Pirgut.
Bashkia Maliq pranon se një pjesë e mirë e zonës torfike ka djegie natyrale, por një pjesë tjetër ka ardhur edhe për shkak të djegieve të tokave arë nga banorët
Nga bashkia është kërkuar ndihma e Ministrisë së Bujqësisë për krijimin e kanaleve "mburojë" në zonat torfike, për të krijuar kështu mundësinë tokave përreth që të ketë ujë nën to çfarë sjell edhe minimizimin e gazrave dhe tymit. Por deri më sot nuk ka pasur ndërhyrje. (A2 Televizion)