
Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka vendosur të pezullojë bojkotin e seancave gjyqësore në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), duke mundësuar rikthimin e avokatëve në proceset gjyqësore.
Ndonëse avokatët vijojnë të qëndrojnë në vendimin e tyre kundër rregullores së brendshme të GJKKO-së, ata kanë vendosur të ndërpresin përkohësisht bojkotin, për shkak të një vendimi gjyqësor që duhet zbatuar.
Megjithatë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë do të ndjekë rrugën ligjore për kundërshtimin e kësaj rregulloreje. Ajo pritet të depozitojë një padi në Gjykatën Administrative të Apelit, me objekt shfuqizimin e rregullores së brendshme të GJKKO-së.
Gjithashtu, në kuadër të kësaj padie, avokatët do të kërkojnë si masë sigurie pezullimin e efekteve të rregullores deri në shqyrtimin e çështjes. (A2 Televizion)