Mëngjesi i sotëm nisi me tensione para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Protestueset e Kolektivit Feminist tentuan të futeshin brenda objektit, por u ndaluan nga Policia. Ndërkohë, brenda Qeverisë, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dolën në konferencë për media, ku prezantuan raportet për trajtimin institucional të rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ministrja Gërvalla paraqiti kronologjinë e ngjarjeve që nga muaji korrik, kur tashmë e ndjera i ishte drejtuar Policisë. Ajo potencoi se dokumentacioni i shqyrtuar deri më tani ka nxjerrë në pah mangësi serioze, vonesa dhe mosveprime institucionale.
“Për disa çështje, presim ende dokumentacion shtesë dhe sqarime shtesë. Megjithatë, dokumentacioni i shqyrtuar deri tani nxjerr në pah mangësi serioze: vonesa dhe mosveprime institucionale. Konstatimi më shqetësues është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim. Institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun ndaj jetës së saj”.
Gërvalla ngriti gjithashtu pikëpyetje për ndikimet e mundshme politike dhe kriminale në këtë rast, duke thënë se ato duhet të shqyrtohen. Edhe Xhelal Sveçla foli për shkeljet e evidentuara, ndërsa bëri të ditur se janë suspenduar 11 zyrtarë policorë. Sipas tij, gjetjet e raportit, të cilat pritet të trajtohen dhe vlerësohen edhe nga Prokuroria, evidentojnë shkelje serioze nga disa zyrtarë policorë dhe pjesëtarë të zinxhirit komandues në Pejë.
“Ndër shkeljet e identifikuara përfshihen: mosekzekutimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesa në ekzekutimin e urdhrit të dytë për mbrojtje, mospërfillja e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mos ndërmarrja e masave të nevojshme për ngritjen e kapaciteteve policore në funksion të garantimit të sigurisë së Arlindës. Këto janë ndër shkeljet më serioze të evidentuara deri në këtë fazë, ndërsa hetimet e mëtejshme mund të nxjerrin në pah edhe fakte dhe përgjegjësi të tjera”.
Ndërkaq, lidhur me kërkesat e protestuesve për dorëheqje, Gërvalla tha se një vendim i tillë nuk do të ndihmonte në identifikimin e përgjegjësve.
“Po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi për të cilin do të kontribuonim për një identifikim më të saktë, më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do kisha dhënë dorëheqje. Unë mendoj që pikërisht e kundërta është. Qytetari i Republikës së Kosovës e din që unë gjithë jetën time politike jam në anën e viktimave, me një kosto të lartë publike”.
Të njëjtin qëndrim e mbajti edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Tash, unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas në mbrojtjen e të drejtave të saj, meqenëse ne jemi të angazhuar 100% në përmbushjen e detyrave tona në këtë pikë. T’ju them të drejtën, unë personalisht jam bashkë me protestuesit, kuptoj edhe indinjatën e mllefin e protestuesve, dhe po punojmë si institucione që të plotësojmë të gjitha ato kërkesa të cilat”.
Protestueset kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre për dorëheqje dhe shkarkime. (A2 Televizion)