Bojkoti i opozitës vijoi edhe këtë të premte në komisionet parlamentare, ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi buxhetin dhe paketën fiskale para deputetëve socialistë. Gjatë diskutimit, ai u ndal te kritikat se qeveria po rrit taksat, duke kundërshtuar këto pretendime.
Ministri u ndal edhe te ulja e TVSH-së për 45 produkte, duke shpjeguar efektet që kjo masë pritet të ketë në të ardhurat e buxhetit, krahasuar me rritjen e të ardhurave nga prodhimet e tjera.
Sa i përket pagave dhe tatimit mbi dividendin, Malaj deklaroi se ndryshimet e parashikuara synojnë të favorizojnë shtresat me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Një sqarim ministri dha edhe për taksën e karburantit, duke shpjeguar ndryshimet e parashikuara në këtë sektor.
Ndërkohë, Malaj bëri të ditur se buxheti i vitit të ardhshëm parashikon edhe fonde shtesë për mbrojtjen, në përputhje me angazhimet dhe kërkesat e NATO-s.
Edhe kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, kundërshtoi pretendimet për rritje të taksave, duke theksuar se bëhet fjalë për një rishpërndarje të barrës fiskale dhe jo për një rritje të përgjithshme të taksave. (A2 Televizion)