Kampioni i bodybuilding-ut, Marsel Vangjeli, ka ndarë një rrëfim emocional në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, ku foli për rrugëtimin e tij në sport dhe mbështetjen e pakushtëzuar që mori nga nëna e ndjerë.
“Unë e kam filluar sportin që në moshën 13-vjeçare. Më ka mbështetur që në atë moshë, me çdo gjë. Sepse sporti im është që duhet të ushqehesh çdo dy tre orë. Gjithmonë i kam pasur vaktet gati. Deri në fund të jetës më ka mbështetur, më ka mbështetur pa kushte”, tregoi ai.
Vangjeli u shpreh se nuk e ka ndërprerë asnjëherë pasionin për bodybuilding-un dhe se sukseset nisën që në moshë të re.
“Kam fituar tituj që në moshën 21-vjeçare, dola kampion Ballkani. Do doja që nëna të ishte këtu për të më parë ku jam tani. Nëna është një motivim i madh për mua”, tha kampioni shqiptar.
Ai rrëfeu se një vit e gjysmë pas humbjes së nënës arriti të bëhej bodybuilder-i i parë profesionist shqiptar.
“Kur nëna ishte gjallë unë po luftoja për bërë profesionist. Kur u ktheva në Shqipëri shkova te varri i saj dhe i bëra një premtim tjetër, ajo e dinte që ëndrra ime ishte të kualifikohesha në Mr. Olympia, që është maja e bodybuilding-ut botëror, dhe i premtova që herët ose vonë do kualifikohem, por nuk e di se kur”, përfundoi ai. (A2 Televizion)