“Do të merren të gjitha masat”, Albana Koçiu në ceremoninë e lamtumirës së dy fëmijëve

Nga A2 CNN
4 Maj 2026, 11:52 | Aktualitet

“Do të merren të gjitha masat”, Albana Koçiu

U jepet sot lamtumira e fundit dy fëmijëve që u përplasën për vdekje nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi. Në ceremoninë mortore ka marrë pjesë edhe zv.kryeministrja Albana Koçiu e shoqëruar nga kryebashkiakja e Durrësit Emirjona Sako. Në një prononcim të shkurtër për mediat Koçiu paralajmëroi marrjen e masave.

“Le të respektojmë dhimbjen. Patjetër që do të merren të gjitha masat”, iu përgjigj ajo gazetarëve.

Ndërsa në një postim në rrjetet sociale, pas vizitës në familjet e të miturve ajo shprehet se: “Në këtë ditë të rëndë që ka tronditur çdo familje shqiptare, ndava nga afër dhimbjen me familjet që humbën engjëjt e tyre.

Është një dhimbje që nuk shpjegohet, nuk ngushëllohet e nuk kalon me asnjë fjalë apo përpjekje njerëzore. Kur jeta këputet në lulëzimin e saj më të pafajshëm, çdo ngushëllim është i vogël dhe i pafuqishëm.

Prindërit mbajnë mbi supe një peshë që asnjë zemër nuk duhet ta njohë. E vetmja gjë që mbetet është të qëndrojmë pranë tyre dhe të lutemi që të gjejnë forcë për të jetuar me këtë plagë që do të mbetet gjithmonë e hapur.

Kjo tragjedi është një thirrje e dhimbshme që na përball me nevojën e domosdoshme për më shumë përgjegjësi, për respekt të palëkundur ndaj rregullave, standardeve dhe ligjit, por mbi të gjitha për një ndërgjegje më të lartë njerëzore. Është detyra jonë e përbashkët të kërkojmë dhe të garantojmë standarde të larta sigurie në çdo hapësirë, duke mos lejuar asnjë neglizhencë me pasoja të parikuperueshme për jetën.

U prehshin në paqe engjëjt e vegjël. Drita e tyre u bëftë forcë për prindërit në këtë rrugëtim të pafundmë dhimbjeje”, shkruan Koçiu.

Në familjet e dy fëmijëve që humbën jetën një ditë më parë në zonën e ish-kënetës në Durrës, ka pllakosur zija. Eneo Muça, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 9 vjeç, u përplasën për vdekje nga një makinë me shpejtësi skëterre, e drejtuar nga Nikoll Radaçi. Banorët e zonës në lot thonë se dhimbja është e madhe ndërsa përgjegjësinë e drejtojnë nga shteti që ka lejuar një të dehur të qarkullojë në makinë dhe të marrë jetën e fëmijëve.

Një tragjedi që ka si shkak papërgjegjshmëri dhe neglizhencë, e cila ka prekur jo vetëm familjet e dy engjëjve, por gjithë shoqërinë e cila duhet të reflektojë mbi mënyrën se si e respektojnë jetën.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos