“Fëmijët dhe gratë shtatzëna të mos prekin breshkat”, alarmi i profesorit për gjallesën tek Liqeni Artificial

Nga A2 CNN
4 Maj 2026, 08:26 | Aktualitet

Profesori Rigers Bakiu ka ngritur shqetësimin për praninë e një specieje invazive breshke në Liqeni Artificial i Tiranës, e njohur si breshka veshkuqe e ujit.

Në një lidhje me Dita jonë në A2 CNN ai tha se ajo mund të transmetojë sëmundje si salmonela, duke rrezikuar sidomos fëmijët dhe gratë shtatzëna në rast kontakti.

“Rrezikojmë që në qoftë se preket sidomos nga fëmijët dhe duart futen në gojë, rrezikojmë që të marrim salmonelën, sepse është një organizëm që transmeton sëmundje të tilla si salmonela dhe ky është rreziku më i lartë për njerëzit, pavarësisht rrezikut që krijon për ekosistemin. Nuk këshillohet për fëmijët që e kanë sistemin mbrojtës imunitar më të dobët në krahasim me të rriturit, por dhe për gratë shtatzëna. Këto janë dy kategoritë që absolutisht nuk duhet t'i prekin këto organizma, sepse rrezikojnë që të marrin salmonelë”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.

Profesor Bakiu theksoi se kjo specie, e c9ila vërehet pë rherë të parë ën vendin tonë dhe e përhapur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbën gjithashtu rrezik për ekosistemin pasi shumohet me shpejtësi dhe konkurron speciet vendase.

"Bëhet fjalë për herën e parë që shihet një rast i tillë, i një prej llojeve më invazive, që futet në listën e 100 specieve më invazive në botë, pra breshkën veshëkuqe të ujit apo trakerus skriptus elegans. Ky është një lloj tepër invaziv, për shkak sepse po ta shohim ka një bukuri të veçantë ndryshe nga breshkat e tjera, por është invaziv sepse shkatërron ekosistemin. Kjo jo vetëm për jetëgjatësinë e lartë që e karakterizon, por edhe shumimin tepër të lartë që e karakterizon. Pra brenda vitit mund të kemi dhe 70 individë të vegjël vetëm nga një çift breshkash të tilla. Dhe mbi të gjitha konkurron me llojet që janë vendase, dhe gjithashtu shkatërron ekosistemin për shkak sepse është një omnivor, pra ushqehet me peshq, me bimë dhe me amfibë”, theksoi ai në Dita Jonë.

Bakiu u bën thirrje institucioneve që të ndërhyjnë për izolimin e kësaj specieje, ndërsa këshillon qytetarët të shmangin prekjen e breshkave për të parandaluar rreziqe shëndetësore.

“Ajo që do sugjeroja unë dhe që do t'i bëja thirrje agjencisë përkatëse që merret me menaxhimin, administrimin e gjithë liqenit artificial që zgjidhjen e ka shumë të thjeshtë në këtë rast, sepse ndodhemi shumë më afër kopshti zoologjik. Mjafton këtë organizëm ta mbledhë, gjithë këtë popullatë që ende është e vogël, sepse tashmë është edhe periudha e shtimit të saj. Megjithëse lëshon vezë, por është periudha nga prilli deri në qershor që është e njohur që shumohet dhe mjafton që në kushte të kontrolluara të mund ta izolojë dhe ta kontrollojë, duke krijuar dhe një mundësi që dhe fëmijët të edukohen apo dhe njerëzit të edukohen me këtë specie të re që e kemi tashmë të pranishme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos