Durana Tech Park, flet administratorja: Janë 78 kompani të regjistruara

Nga A2 CNN
12 Janar 2026, 22:34 | Aktualitet

Projekti “Durana Tech Park”, i vendosur në zonën e Xhafzotajt mes Durrësit dhe Shijakut, është kthyer në qendër të debatit publik dhe politik, mes akuzave për “parajsë fiskale” dhe shmangie taksash. Për të sqaruar këto pretendime, administratorja e parkut, Florensa Kovaçi Haxhi, ishte e ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas Kovaçit, Durana Tech Park është një projekt i bazuar plotësisht në ligj për parqet teknologjike dhe në VKM-të përkatëse, të cilat lejojnë funksionimin fillestar në formë virtuale dhe më pas kalimin në fazën fizike. Ajo theksoi se parku ndodhet aktualisht në fazën virtuale, ndërsa ndërtimi fizik do të realizohet brenda afatit 36-mujor të parashikuar nga ligji.

“Parku ka hapur thirrjen në pranverën e vitit 2025 dhe kontrata e parë është lidhur në qershor 2025. Deri më sot janë 78 kompani të regjistruara ose në fazë përfundimtare regjistrimi, shumë më tepër se pritshmëria fillestare prej 11 kompanish në vitin e parë,” deklaroi Kovaçi.

Ajo sqaroi se më pak se gjysma e kompanive janë shqiptare, ndërsa pjesa tjetër janë të huaja, kryesisht në fushën e teknologjisë, inteligjencës artificiale, zhvillimit të softuerëve, robotikës dhe kërkimit shkencor. Sipas saj, asnjë aktivitet ekzistues nuk transferohet në park për të shmangur taksat, por kompanitë lejohen të zhvillojnë vetëm aktivitete të reja dhe inovative.

Administratorja hodhi poshtë akuzat për parajsë fiskale, duke theksuar se modele të ngjashme ekzistojnë në vende të BE-së si Estonia, Letonia, Franca dhe Holanda. Ajo argumentoi se lehtësitë fiskale janë instrument për të tërhequr kompani ndërkombëtare që ndryshe nuk do të zgjidhnin Shqipërinë, duke sjellë vende pune për të rinjtë dhe zhvillim ekonomik afatgjatë.

“Përfitimi kryesor për Shqipërinë është punësimi i të rinjve dhe krijimi i aktiviteteve të reja ekonomike. Shteti heq dorë nga disa taksa sot, por fiton shumë më tepër nesër,” tha Kovaçi.

Ajo shtoi se parku po bashkëpunon me universitete publike dhe private për të lidhur studentët me kompanitë rezidente dhe për ta kthyer Durana Tech Park në një qendër rajonale të teknologjisë dhe inovacionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos