Durrësi apo Vlora? Çfarë zgjedhin turistët për të pushuar?

Nga A2 CNN
10 Gusht 2024, 11:33 | Aktualitet

Gushti ka sjellë një shtim të turistëve në plazhet shqiptare. Kjo është raportuar në A2 CNN nga gazetaret Elitjona Doko dhe Jerola Ziaj, bazuar në të dhënat e njësive hoteliere dhe hyrje daljet në portet e Durrësit dhe Vlorës.

Të huajt frekuentojnë më së shumti bregdetin e Durrësit, të kryesuar nga polakët dhe të ndjekur nga italianët dhe francezët. Ndërsa në fokus të frekuentimit të këtij bregdeti është turizmi familjar.

“Edhe përgjatë këtij sezoni Durrësi ka fluks të rritur të vizitorëve. ata që po frekuentojnë bregdetin e Durrësit janë të huajt janë polakët që kryesojnë por edhe italianët dhe francezët. Agjencitë tona po bashkëveprojnë për të sjellë sa më shumë turistë në mënyrë të organizuar. Ka numër të shtuar referuar të dhënave nga njësitë hoteliere në Durrës. Janë 193 njësi hoteliere pritëse në bregdetin e Durrësit që pritet në kapacitete 100% të rezervuar gjatë gushtit. Ka numër të shtuar edhe në hyrje dalje të Durrësit. Në fundjave operohet me lundrime dyfishe. Në fokus të frekuentimit në bregdetin e Durrësit është turizmi familjar. Ka një ndërgjegjësim dhe mënyrë organizimi ndryshe nga vitet e kaluara. Ka guida të pasura dhe të mirëinformuara”, raporton gazetarja Doko.

Por një problematikë që ka ngritur në këmbë strukturat lokale dhe bizneset e Durrësi ka qenë menaxhimi i mbetjeve urbane.

Gushti e ka gjetur vijën bregdetare jugore të mbipopulluar në krahasim me korrikun, ku pati mjaft kritika për shkak të rritjes së çmimeve. Vetëm në 24 orët e fundit kanë hyrë 6300 persona, duke trefishuar numrin e turistëve që zgjedhin jugun e Shqipërisë për të pushuar. Por çmimet e shtrenjta dhe turizmi elitar, do ta bëjnë të papërballueshëm për shqiptarët frekuentimin e këtij deti në vitet e ardhshme.

“Kritika ka pasur për rritjen e çmimeve në jug të vendit, por flasim për mbipopullim të të gjithë vijës bregdetare të jugut. Fluksi është shtuar ndjeshëm duke filluar që nga 15 korriku në të gjithë vijën bregdetare, Vlorë, Himarë e Sarandë.  Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë 6300 persona çka do të thotë që ata që zgjedhin jugun është trefishuar krahasuar me fillimet e korrikut. Korriku nisi me problematika duket se ka pasur një reflektim nga ta që kanë tentuar të ngrenë çmimet. Jugu ka qenë i përmendur ndër vite për çmime të larta e zona rezidencial dhe ka hapësira plazhi që vijojnë të jenë ekskluzive, të shtrenjta dhe që do të vijojnë të ofrojnë turizmin elitar në Shqipëri dhe që ndoshta vitet e ardhshme nuk do të jenë të përballueshme nga shqiptarët”, thotë gazetarja Ziaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos