Krimet zgjedhore, ambasada britanike thërret Kryeprokurorin Olsian Çela, Dumanin dhe Celibashin

Nga A2 CNN
1 Prill 2025, 16:26 | Aktualitet

Krimet zgjedhore, ambasada britanike thërret Kryeprokurorin Olsian

Kreu i SPAK, Altin Dumani, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe kreu i KQZ, Ilirian Celibashi, ishin të martën në ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, ku informuan një trupë të gjerë diplomatësh mbi strategjinë e hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore.

Përveç britanikëve, pjesë e takimit ishin edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe delegacionit të BE në Tiranë, si edhe të disa vendeve të BE.

Në një reagim zyrtar, ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, njoftoi se sesioni i informimit trajtoi qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve në hetimin e shkeljeve zgjedhore, duke marrë parasysh mjedisin aktual të operimit, si edhe strategjinë për të minimizuar rreziqet e mundshme në procesin e ardhshëm zgjedhor.

“Ambasada Britanike ftoi Kryeprokurorin Special, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Komisionerin Publik të Zgjedhjeve për të informuar ambasadorët mbi strategjinë e hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore, publikuar në vitin 2025. Seanca informuese mbuloi qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve për hetimin e shkeljeve zgjedhore brenda mjedisit aktual operativ, përfshirë strategjinë për zbutjen e rreziqeve potenciale në procesin e ardhshëm zgjedhor”.

Sipas ambasadës britanike, marrëveshja mes SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ është mirëpritur nga komuniteti ndërkombëtar si hap i rëndësishëm për të siguruar qartësi në rolin dhe përgjegjësitë e secilit institucion.

Në përfundim, Ambasada Britanike nënvizonte mbështetjen e saj në angazhimin e Shqipërisë për të garantuar zgjedhje transparente, të ndershme e të sigurta më 11 maj.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos