Nga kjo e martë, policia ka dalë në gatishmëri të përforcuar, deri më datë 3 janar. Për të garantuar rendin dhe sigurinë, gjatë ditëve të fundit të këtij viti dhe ditëve të para të vitit 2025, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, për të parandaluar incidentet apo ngjarjet kriminale, si dhe për të lehtësuar lëvizjen e shtuar të automjeteve dhe fluksin në hyrje/dalje, në pikat e kalimit kufitar, si dhe për të parandaluar tregtimin dhe përdorimin e lëndëve piroteknike.
Kontroll të shtuar do të ketë ndaj personave me precedentë kriminalë, automjeteve të tyre dhe të ambienteve që ata frekuentojnë. Për të parandaluar ngjarjet kriminale, janë shtuar shërbimet dhe patrullimet në afërsi të bankave, zyrave të këmbimit valutor, tregjeve dhe objekteve të tjera, ku administrohen vlera monetare dhe materiale.
Ndërsa për të eliminuar radhët e gjata në hyrje/dalje, janë shtuar sportelet te të gjitha pikat e kalimit kufitar. Masa shtesë janë marrë edhe për të parandaluar aksidentet rrugore, duke shtuar monitorimin në të gjitha akset në vend, me makina inteligjente, radarë e dronë inteligjentë.
Prezencë të punonjësve të policisë do të ketë edhe në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit. (A2 Televizion)