Ndryshe nga vitet e tjera, sheshi Skënderbej u mbush 1 orë para nisjes së faljes. Pas 30 ditë agjërim, besimtarët myslimanë pritën me padurim faljen e Fitër Bajramit. Për ta agjërimi është një ndjesi e papërshkrueshme. Të ngrënit e të pirit është gjëja e fundit për të cilën mendonin gjatë muajit të Ramazanit.
Në radhë për t’u falur me të rriturit ishin fëmijët dhe të rinjtë. Dikush me agjërim të plotë e dikush me ditë të caktuara, tregojnë ndjesitë e përjetuara gjatë muajit të mëshirës.
Islami po ripërtërihet gjithmonë e më tepër me grupmosha të reja, të cilat frekuentojnë xhamitë dhe agjërojnë. Mesazhet e këtij Bajrami ishin drejt paqes në botë dhe paqes shpirtërore, forcimit të familjes dhe shtimit të devotshmërisë në islam.
Sfida për besimtarët është që virtytet e fituara në muajin e ramazanit, t'i mbajnë gjatë gjithë vitit. 30 ditët e muajit të Ramazanit pasohen sipas dëshirës edhe me 6 ditë në agjërim në muajin Sheual, si shenjë e vazhdimit të adhurimit ndaj Zotit. (A2 Televizion)