Murtaja e ruminateve është rikthyer te bagëtitë e imta në qarkun e Shkodrës pas afro një viti. Rastet e para janë shfaqur në njësinë administrative Dajç, më konkretisht në fshatin Mali i Gjymtit.
Me urdhër të Ministrisë së Bujqësisë, e gjithë zona është vendosur në karantinë, ndërsa bagëtitë e prekura janë asgjësuar. Janë marrë masat e menjëhershme dhe krerët e parë të prekur janë asgjësuar. Për këtë procedurë është marrë fadroma e bashkisë, është hapur një gropë e caktuar nga njësia vendore dhe komuniteti, ku u bë varrosja e tyre, shkruan A2 CNN. Si në rastin e parë, ashtu edhe në rastin e dytë, në të njëjtën tufë kanë ndodhur disa ngordhje të bagëtive të imta, të cilat gjithashtu janë groposur. Ndërkohë, pritet marrja e masave të mëtejshme nga institucionet përkatëse për mbrojtjen e pjesës tjetër të tufës.
Tufa e bagëtive ku është shfaqur murtaja e ruminateve i përket blegtorit Sokol Volaj, i cili shprehet se kërkon ndihmë nga shteti për të zëvendësuar tufën, e cila rrezikon të asgjësohet e tëra për të bllokuar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes te bagëtitë e tjera të zonës apo edhe më gjerë.
"Thonë që ka dalë sëmundje dhe do të asgjësohen. Kjo më dëmton jashtë mase, pasi kam një jetë që merrem me to, duke investuar nja 10 deri në 15 milionë lekë. Po ikën gjithçka, po ikin berrat. Kërkoj vetëm të më dëmshpërblejnë. Kafshët i kam me matrikull, i kam matrikulluar sepse na thanë që po aplikove, përfiton diçka nga shteti. Ashtu doli sëmundja, çfarë të bëjmë...”, u shpreh ai.
Përveç Dajçit, Drejtoria Rajonale e Ekstensionit Bujqësor në Shkodër ka nisur kontrollet edhe në zona të tjera. Specialistët sqarojnë se kjo është një sëmundje që prek vetëm bagëtitë e imta, por nuk transmetohet te njeriu. (A2 Televizion)