Sfidat e “Dialogëve Liberalë”, nismë akademike për bashkëpunim rajonal dhe Europën që duam

Nga Ornela Joti
19 Maj 2026, 19:07 | Aktualitet

Sfidat e “Dialogëve Liberalë”, nismë akademike

Liberalizmi, arsimi dhe sipërmarrja kanë qenë këto temat e diskutimit mes profesorëve, politikanëve dhe studentëve shqiptarë e italianë, për mënyrën se si ndikojnë ato në formësimin e lidershipit të ri evropian.

Kjo nismë, pjesë e “Dialogëve Liberalë”, synon të bëjë bashkë liderë të rinj, ekspertë të institucioneve nga Italia dhe Evropa Juglindore, me qëllim promovimin e dialogut, mendimit kritik dhe bashkëpunimit rajonal.

Observatori për Evropën Juglindore lindi për të promovuar studimet sociale, politike dhe ekonomike në të gjithë këtë rajon, për të nxitur bashkëpunimin mes të gjitha këtyre vendeve dhe veçanërisht për të trajtuar presionin ndaj demokracisë dhe nacionalizmin.

Ajo që ne dëshirojmë të bëjmë me “Dialogët Liberalë” është të ndërtojmë një rrjet mes të rinjve nga i gjithë ky rajon, por edhe nga Italia, Sllovenia dhe Kroacia, sepse ata duhet të kenë një hapësirë për të shkëmbyer përvoja mes atyre që janë në vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre që janë kandidatë dhe po i afrohen rrugës për t’u bërë vende evropiane. Ne po krijojmë një hapësirë për të ndarë ide dhe po përpiqemi t’u japim atyre mjetet për të kuptuar realitetin dhe aktualitetin ku po jetojnë. Dhe veçanërisht, po ofrojmë gjithashtu disa bursa dhe po u kërkojmë atyre të shkruajnë dhe të na prezantojnë idenë e tyre për Evropën, Evropën që ata duan.”

Takimi u vlerësua dhe u përshëndet nga përfaqësues të qeverisë shqiptare, politikanë dhe profesorë shqiptarë e italianë.

Anketat e fundit tregojnë se shkalla e pranimit të BE-së në Shqipëri është mbi 90%, gjë që duhet të na bëjë të gjithëve krenarë si shqiptarë, por gjithashtu duhet ta bëjë Evropën të mendojë pak më ndryshe për Shqipërinë. Kjo sepse Shqipëria ka plot ide dhe profesionistë të rinj për të ofruar në Evropë.

Siç e pamë edhe sot, duke qenë një nga vendet, të paktën në Evropë, me diasporën më të madhe, këto janë shenja të qarta se të rinjtë shqiptarë, profesionistët shqiptarë janë evropianë dhe janë të gatshëm t’u bashkohen ideve të përbashkëta mbi të cilat u themelua Evropa. Ne shpresojmë vërtet se do të jemi në gjendje të ndjekim agjendën e rënë dakord me Komisionin Evropian për t’u bërë shtet anëtar deri në vitin 2030.

Ish-senatori italian Andrea Cangini:

“Një komb që do të hiqte dorë nga ideali pro-evropian do t’i duhej vetëm të vendoste se ndaj cilës perandori autoritare apo demagog lokal do të nënshtrohej, dhe sigurisht kjo nuk do të ishte një perspektivë joshëse. Rreziku është real, sepse Rusia, Kina e madje edhe Irani i ajatollahëve po punojnë për ta bërë këtë rrezik një realitet. Në të kaluarën e afërt, si Presidenti italian Sergio Mattarella ashtu edhe Kryeministri shqiptar Edi Rama kanë deklaruar se Deti Adriatik nuk i ndan, por i bashkon Italinë dhe Shqipërinë, dhe sigurisht që kjo është e vërtetë. Ismail Qemali, kryeministri i paharrueshëm i cili në vitin 1912 ishte ndër arkitektët kryesorë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, e dinte dhe vuri re se Italia është për Shqipërinë një portë natyrale drejt Evropës.”

Takimi mes profesorëve dhe studentëve shqiptarë e italianë u organizua nga Fondacioni italian Luigi Einaudi, Shkolla e Biznesit e Triestes dhe Observatori i Evropës Juglindore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos