Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u shpreh optimist për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Në një konferencë për shtyp ai theksoi se Bashkimi Europian ka vlerësuar pozitivisht reformat në drejtësi dhe rezultatet e institucioneve shqiptare.
Sipas ministrit, raporti teknik i BE-së për piketat e ndërmjetme të reformës në drejtësi ka kaluar tashmë nga grupi teknik i punës në nivelin e ambasadorëve të vendeve anëtare. Gogu theksoi se gjatë 18 muajve të fundit janë koordinuar 70 institucione, janë angazhuar 190 ekspertë dhe janë zhvilluar 90 orë raportim pranë Komisionit Europian, ndërsa janë dorëzuar mbi 8 mijë faqe dokumentacion.
“Dje me një përfaqësues të Bankës Botërore, profesor Pauluçin dhe me ambasadorin Gonzato prezantuam një anketë rajonale, ku pjesëmarrja ishte vullnetare dhe që besoj që do t'ju bëhet e njohur në ditët në vijim nga hartuesit e raportit, që është Banka Botërore, ku del fare qartë progresi i reformës në drejtësi në Shqipëri. Do qëndroj vetëm në tre shifra ose më mirë në katër, por në tre pozitive dhe në një negative. Raporti i vlerësimit të piketave të ndërmjetme apo IBARI ishte një proces teknik dhe që progresoi, tashmë ka kaluar nga grupi i punës në grupin e ambasadorëve të vendeve anëtare, të vendeve të përhershme. Tregon që procesi lëviz, procesi ecën dhe ka mbështetje faktike dhe institucionale të çdo mase nga ana e shtetit shqiptar. Besoj në fund të ditës ky raport që ka vlerësuar të gjitha masat tona ka të bëjnë me ato rezultate të prekshme që ne duam të shohim në vijim dhe çdo qytetar pret nga sistemi i drejtësisë në vijim. Cilësia e reformave vlerësohet në atë raport, që është raport teknik dhe që ka kaluar grupin e punës dhe tani është në një grup vendimmarrësish në lidhje me sistemin e drejtësisë, në lidhje me gjyqësorin dhe me backlog-un që është një çështje që ju e shikoni përditë e hetoni, e raportoni, e dëshmoni”, u shpreh ministri Gogu.
Ministri theksoi gjithashtu se besimi i qytetarëve te drejtësia është dyfishuar, nga 26% në 53%, ndërsa perceptimi pozitiv për reformën është rritur nga 34% në 56%. Megjithatë, ai pranoi se vonesat në gjykime dhe kostot financiare mbeten problematika serioze për qytetarët.
“Besimi i qytetarëve shqiptarë është dyfishuar nga 26% në 53% në sistemin e drejtësisë. Pavarësia e sistemit e cila perceptohet nga vetë aktorët e sistemit është e rritur me 30%. Pra përjetesa se nuk është vetëm perceptimi, por është dhe përjetesa. Janë intervistuar të gjithë përdoruesit e sistemit, qytetarët, avokatët, gjyqtarët, prokurorët dhe vetë reforma perceptohet pozitivisht për shkak se ka një rritje nga 34% në 56% pozitive, ndërkohë që perceptimi negativ ka zbritur nga 38% në 17%. Dhe shifra që është negative është ajo që ka të bëjë me backlog-un dhe ndaj qëndrova aty, sepse 72% e qytetarëve shqiptarë e shohin sistemin të vështirë për ta përballuar financiarisht dhe kam përshtypjen që kjo ka të bëjë pikërisht me atë vonesë. Po shohim shenjat e para pozitive të kthimit të prirjeve në sistem, pra të çështjeve të mbartura dhe në 137.101 çështje që Ministria e Drejtësisë ka si statistikë po vërehet tani që trendi po fillon të zbresë”, tha ai.
Gogu tha se po punohet për uljen e backlog-ut të çështjeve gjyqësore, forcimin e ndihmës juridike falas dhe përmirësimin e Kodit Penal e Kodit të Procedurës Penale, me fokus te mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lufta kundër korrupsionit. (A2 Televizion)