
Fluksi i udhëtarëve në hyrje përmes Portit të Vlorës vijon të jetë i lartë gjatë muajit gusht, ndërsa lëvizjet nga Italia drejt Shqipërisë mbeten të shumta në kulmin e sezonit turistik.
Vetëm gjatë ditës së sotme, 1,388 pasagjerë kanë mbërritur në Portin e Vlorës me dy tragetet e linjës Brindisi–Vlorë.
Sipas të dhënave të raporteve të mbërritjes, në port kanë hyrë gjithashtu 291 automjete, 10 kampera dhe 31 motoçikleta, duke konfirmuar fluksin e lartë të udhëtarëve dhe mjeteve gjatë kësaj periudhe.
Dy tragetet kanë sjellë respektivisht 817 dhe 571 pasagjerë, ndërsa lëvizjet në port kanë qenë të konsiderueshme edhe në drejtim të kundërt.
Gjatë së njëjtës ditë, nga Porti i Vlorës janë regjistruar rreth 700 pasagjerë në dalje, duke vijuar ritmi i lartë i qarkullimit në linjën detare me Italinë.
(A2 Televizion)