Forcohen kapacitetet mbrojtëse, mobilizim i rezervistëve, qeveria i rikthen në shërbim aktiv

Nga A2 CNN
29 Maj 2025, 11:22 | Aktualitet

Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin që i hap rrugën rikthimit në shërbimin aktiv ushtarakëve në rezervë. Ky vendim, i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe i miratuar nga Këshilli i Ministrave, ka për qëllim të plotësojë nevojat e Forcave të Armatosura me personel të kualifikuar dhe të forcojë kapacitetet mbrojtëse të vendit, shkruan A2 CNN.

Sipas këtij vendimi, ushtarakët që kanë qenë më parë në shërbim, oficerë, nënoficerë apo ushtarë dhe detarë, do të kenë mundësi të rikthehen në shërbimin aktiv kur strukturat ushtarake kanë nevojë për specialitetin apo përvojën e tyre. Vendimi ngarkon Ministrinë e Mbrojtjes për të publikuar thirrjet për pozicione të hapura në faqen e saj zyrtare, ndërsa aplikimi do të kryhet online përmes portalit e-Albania.

Vendimi gjithashtu parashikon se në rastet e mobilizimit të pjesshëm apo të përgjithshëm, rikthimi në shërbim mund të bëhet edhe pa aplikim, me njoftim të drejtpërdrejtë nga institucionet ushtarake. Për angazhimin e 2 mijë e 100 rezervistëve në Ushtrinë Shqiptare është parashikuar një kosto fillestare prej 1.5 miliardë lekësh. Kohëzgjatja e shërbimit ushtarak rezervist është nga 14 deri në 45 ditë në vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos