Mëngjesi i kësaj të shtune ka nisur me fluks të lartë qytetarësh e mjetesh në pikën kufitare të Morinës. Qytetarët e Kosovës kane zgjedhur të kalojnë fundjavën në bregdet. Policisë kufitare i është dashur të hapë gjashtë sportele për të shmangur kolonat e gjata të mjeteve. Për mjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë kalimi i kufirit bëhet pa kontrolle sipas procedurës të miratuar për një periudhë nëntë mujore ndërsa automjetet me targa të huaja i nënshtrohen kontrollit.
Ndërkohë pavarësisht aludimeve të ditëve të fundit mbi një braktisje të mundshme të pushuesve nga Kosova, të dhënat më të fundit nga Drejtoria e Kufirit tregojnë të kundërtën. Në muajin qershor kanë hyrë në Shqipëri 580 mijë e 633 shtetas të Kosovës ndërsa në gjysmën e parë të korrikut mbi 40 mijë shtetas të Kosovës.
Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në gjysmën e parë të vitit rezulton se vendi ynë ka pritur 1.7 milionë shqiptarë nga Kosova shifër që është rritur me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku numri i pushuesve nga Kosova ishte 1.3 milionë. Fluksi i lëvizjes në dyja anët e kufirit pritet të jetë në rritje gjatë edhe gushtit.
Edhe në pikën kufitare të portit të Durrësit, ka patur fluks të lartë të pasagjerëve që hyjnë në vendin tonë. Aktualisht është duke u punuar me kapacitet të plotë me qëllim përballimin e fluksit në hyrje. (A2 Televizion)