Në përfundim të tre ngjarjeve të rëndësishme në vendin tonë nga Giro d’Italia, te procesi zgjedhor dhe samiti i sotëm i liderëve të BE në Tiranë, drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka falënderuar efektivët dhe qytetarët. Përmes një mesazhi të shpërndarë për mediat, Proda thekson se Shqipëria u përfaqësua denjësisht përpara partnerëve ndërkombëtarë dhe garantoi zhvillimin e 3 ngjarjeve madhore në mënyrë të sigurt, të qetë dhe profesionale.
“Të nderuar efektivë të Policisë së Shtetit, Dua t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë dhe vlerësimin maksimal për angazhimin tuaj të palodhur, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar për përballimin me sukses të disa prej ngjarjeve më të rëndësishme për vendin tonë. Angazhimi juaj në garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë procesit zgjedhor, garës ndërkombëtare “Giro d’Italia” dhe në veçanti gjatë zhvillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, dëshmoi edhe një herë nivelin e lartë të përgatitjes, seriozitetin dhe integritetin me të cilin secili prej jush i shërben vendit dhe qytetarëve. Falë përkushtimit tuaj dhe bashkëpunimit të ngushtë institucional, Shqipëria u përfaqësua denjësisht përpara partnerëve ndërkombëtarë dhe garantoi zhvillimin e 3 ngjarjeve madhore në mënyrë të sigurt, të qetë dhe profesionale”.
Gjithashtu Proda shprehu një vlerësim të veçantë për strukturat drejtuese në çdo nivel për koordinimin dhe menaxhimin efektiv të situatave komplekse. Sipas Prodas, ky sukses është rezultat i punës së përbashkët dhe i përkushtimit ndaj misionit të mbrojtjes së rendit dhe sigurisë.
“Ky rezultat është fryt i një pune të përbashkët, të ndërtuar mbi profesionalizëm, besim dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj misionit që kemi ndaj qytetarëve dhe vendit. Ju falënderoj për orët e zgjatura të shërbimit, për sakrificat personale dhe për standardin e lartë të performancës që keni dëshmuar. Kontributi juaj është një nga shtyllat më të rëndësishme në forcimin e besimit të qytetarëve dhe të partnerëve te Policia e Shtetit”.
Mesazhin e tij kreu i Policisë e përfundon duke uruar qytetarët për mirëkuptimin dhe qytetarinë e treguar, në funksion të sigurisë së përgjithshme.
“Sjellja juaj ndihmoi drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e këtyre ngjarjeve dhe forcoi bashkëpunimin midis qytetarëve dhe Policisë së Shtetit”. (A2 Televizion)