Përmes një ceremonie publike KLGJ përzgjodhi 8 anëtarët e rinj të Kolegjit Zgjedhor, që do të jenë gjyqtarët që do të shqyrtojnë çdo kërkesë ankimore mbi procesin zgjedhor të vitit 2025.
Shorti me gogla përzgjodhi si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor gjyqtarët Ornela Naqellari, Alma Kodraliu, Iliba Bezati, Entela Shehdula, Enkel Peza, Rexhep Bekteshi, Artan Çupi dhe Lutfie Celami, gjyqtarë që kanë kaluar me sukses procesin e vetingut me vendim të formës së prerë, raporton A2.
Emrat e anëtarëve të rinj u përzgjodhën mes 95 gjyqtarëve, që i përkisnin gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Shkallës së Parë e Apelit Administrativ, shkruan A2. Nga ky proces u përjashtuan gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas ligjit mbi të cilin operon ky Kolegj, brenda 24 orësh KLGJ miraton me vendim zgjedhjen e anëtarëve dhe vendos delegimin e tyre në këtë detyrë për një mandat 4 vjeçar.
Brenda tre ditësh nga delegimi ata betohen në një ceremoni tjetër publike dhe Kolegji konstituohet, i gatshëm për tu thirrur në detyrë nga kreu i KLGJ jo më vonë se 50 ditë nga dita e zgjedhjeve, sqaron A2.
Në këtë kolegj subjektet zgjedhore mund të ankimojnë vendimarrje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kur i konsiderojnë në cenim të interesave të tyre të ligjshëm, ndërsa individët ose partitë politike mund të ankimojnë refuzimet e kërkesave për regjistrim si subjekt zgjedhor. (A2 Televizion)