
Policia e Durrësit ka goditur një rast të prodhimit dhe të shitjes së lëndëve narkotike, duke sekuestruar 8 kilogramë kanabis sativa. “Blutë” arrestuan në flagrancë një 30-vjeçar me inicialet E.K., në banesën ku kishte fshehur lëndën narkotike.
“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Banesa”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: -E. K., 30 vjeç, banues në Durrës. Bazuar në informacionet e siguruara se ky shtetas posedonte një sasi lënde narkotike të cilën e kishte fshehur në një banesë të pabanuar afër banesës së tij, në lagjen nr. 8, Durrës, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë kapur në flagrancë shtetasin E. K., në momentin që ai po tentonte të merrte lëndën narkotike”, thuhet në njoftim.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 8 kilogramë kanabis sativa.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. (A2 Televizion)