Rritja e çmimeve të produkteve në tregun shqiptar vijon të shqetësojë konsumatorët, ndërsa raste të veçanta po ngjallin debat të fortë publik. Një ndër to është edhe çmimi i kumbullave jeshile, që këtë sezon ka arritur deri në 22-23 mijë lekë të vjetra për kilogram, një nivel që po konsiderohet i pajustifikueshëm.
Gjatë diskutimeve në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, moderatorja Bora Shahini ngriti shqetësimin për këtë fenomen, duke theksuar faktin që s’kemi të bëjmë me një produkt importi.
“Produktet që s’janë vendase kanë një rritje të çmimit. Por kumbullat jeshile i kemi produkt vendas dhe shohim që në treg janë katastrofë nga çmimi. Po flasim për 22, 23 mijë lekë vjetra kg i kumbullave dhe kanë qenë si pasojë e denoncimeve të ndryshme nga konsumatorët,” u shpreh Shahini.
Në fokus të diskutimit ishte analiza e ekspertes së ekonomisë, Romina Radonshiqi, e cila e cilësoi situatën si shqetësuese dhe kërkoi ndërhyrje institucionale.
“Çështja e çmimit të kumbullës edhe mua më çuditi pasi është produkt vendas. Vetë Autoriteti i Konkurrencës duhet të hetojë në treg. Çmimi është i pajustifikueshëm edhe me nivelin e pagave që ne marrim,” theksoi ajo.
“Unë mendoj që konsumatori nuk do të blejë kumbulla, pasi s’janë produkt që e ka të nevojshme për ta konsumuar. Por konsumatorët shqiptarë edhe produktet që i kanë shumë të rëndësishme për t’i konsumuar, në rastin e këtyre çmimeve nuk do ta blejë,” u shpreh ekspertja.
“Konsumatori shqiptar do ulë nivelin blerës duke ndikuar në kequshqyerje,” përfundoi Radonshiqi.
(A2 Televizion)