Opozita nesër 3 orë protestë! Policia njofton marrjen e masave, bllokohen disa rrugë kryesore

Nga A2 CNN
16 Prill 2026, 16:41 | Aktualitet

Opozita nesër 3 orë protestë! Policia njofton marrjen e masave,

Partia Demokratike ka njoftuar Policinë e Tiranës për rotestën e nesërme të opozitës. Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat nga Policia, PD ka kërkuar leje për zhvillimin e tubimit nga 19:00 deri në 22:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Policia njofton se për garantimin e rendit dhe sigurisë, do të ketë kufizime të qarkullimit dhe ndalim parkimi në disa segmente rrugore, duke nisur që nga mbrëmja e 16 prillit deri në përfundim të tubimit.

Bllokime do të ketë përgjatë bulevardit kryesor, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia u bën thirrje organizatorëve të respektojnë orarin dhe qytetarëve të tregojnë mirëkuptim, si dhe të shmangin çdo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike.

Njoftimi i DVP Tiranë

Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 17.04.2026, nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.

Në bazë të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka marrë masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit në vendin dhe afatin kohor të kërkuar.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

nga ora 23:45 e datës 16.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;

nga ora 15:00 e datës 17.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.

Gjithashtu, apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos