Të forcohet kuadri ligjor, parandalimi i ekstremizmit dhe radikalizmit online

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
16 Prill 2026, 15:23 | Aktualitet

Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit online, ka qenë në fokus të takimit mes përfaqësuesve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe organizmave ndërkombëtare siç është OSBE, zhvilluar në Pogradec. Edhe pse zonat kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë kanë një traditë bashkëjetese dhe bashkëpunimi ndërfetar, sërish rreziku i ekstremizmit dhe radikalizmit mbi baza etnike apo sociale është prezent dhe për këtë arsye institucionet duhet të jenë vigjilentë.

"Në veçanti në hapësirën online, ekstremizmi i dhunshëm është një fenomen që kërkon bashkëpunim ndërkufitar, pasi vetë këto kërcënime janë transnacionale. Në këtë kuadër, dy institucionet koordinuese të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut po punojnë së bashku për të përballuar këtë fenomen, duke përfshirë edhe komunitetet lokale në zonat kufitare përreth Liqenit të Ohrit. Fatmirësisht, ky rajon ka një traditë të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndërfetar, si në Shqipëri ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në zonën përreth Liqenit të Ohrit. Megjithatë, duhet të qëndrojmë gjithmonë vigjilentë, pasi fenomene globale mund të përhapen kudo dhe potencialisht mund të ndikojnë edhe në këtë pjesë të botës", thotë Darko Angelov departamenti i Sigurisë i OSBE.

Për përfaqësuesen e qendrës së koordinimit kundër ekstremizmit te dhunshëm në ministrinë e brendshme, dezinformimi në platformat online apo përdorimi në këto platforma i grupeve të të rinjve që mund të ndikohen lehtë shikohen si mundësitë e radikalizmit dhe ashpërsimin e retorikës së dhunës.

Megjithëse rreziku i ekstremizmit të dhunshëm që mund të çojë në terrorizëm në Shqipëri mbetet i ulët, gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi në rrjetet sociale vazhdojnë të jenë sfidë. Për këtë arsye, vendet e rajonit po punojnë për forcimin e kuadrit ligjor dhe për promovimin e bashkëpunimit dhe dialogut mes komuniteteve, me mbështetjen e bashkimit Evropian. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos